Secondary Adv

Fitimet e investitorëve të huaj pësuan përsëri rënie në tremujorin e parë të vitit

Fitimet e investitorëve të huaj në Shqipëri pësuan përsëri rënie në tremujorin e parë të vitit.


Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se të ardhurat e investitorëve të huaj nga investimi në Shqipëri për 3-mujorin e parë të vitit kishin vlerën e 240 milionë eurove, në rënie me 7% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.


Kjo shumë përfaqëson fitimet e shpërndara ose të riinvestuara të investitorëve të huaj në Shqipëri për periudhën.


Të dhënat e kryqëzuara me shumën e fitimeve të riinvestuara tregojnë se në pjesën dërrmuese fitimet e investitorëve të huaj për tremujorin e parë u riinvestuan, për një shumë prej 206 milionë eurosh.


Në kahun e kundërt, flukset hyrëse të të ardhurave nga investimet (fitimet e subjekteve shqiptare nga investimet jashtë vendit) për tremujorin e parë të vitit shënuan një rritje të lehtë në 76 milionë euro, 2.7% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.


Bilanci neto i të ardhurave nga investimet ngelet përsëri negativ në vlerën e 163 milionë eurove, por deficiti në zërin e të ardhurave nga investimet është tkurrur me 11.5% krahasuar me një vit më parë.


Duke qenë se investimet e huaja në Shqipëri janë shumë më të mëdha se investimet shqiptare jashtë vendit, edhe bilanci neto i të ardhurave nga investimet ka qenë historikisht negativ.


Një tendencë në rënie e fitimeve të investitorëve të huaj u regjistrua qysh vitin e kaluar.


Të dhënat e Bilancit të Pagesave treguan se të ardhurat e investitorëve të huaj nga investimet për vitin 2025 arritën vlerën e 1.068 miliardë eurove, në rënie me 3.8% krahasuar me një vit më parë.


Në vitet e pas pandemisë, fitimet e investitorëve të huaj kanë ndjekur një tendencë në rritje. Kjo mund të shpjegohet me rimëkëmbjen e ekonomisë dhe ecurinë e mirë të aktivitetit ekonomik, por pjesërisht edhe me rritjen e normave të interesit, që ka ndikuar pozitivisht sidomos fitimet e institucioneve financiare me kapital të huaj.


Megjithatë, një pjesë e rritjes mund t’i atribuohet forcimit të Lekut në kursin e këmbimit me Euron, që ka rritur statistikisht fitimet të shprehur në monedhën europiane. Duke qenë se një pjesë e mirë e fitimeve nuk shpërndahen, por riinvestohen, forcimi i Lekut, në mënyrë të tërthortë, ka ndikuar edhe në rritjen e investimeve të huaja në vitet e fundit. Fitimet e riinvestuara në vitet e fundit kanë marrë peshën kryesore në strukturën e investimeve të huaja direkte.


Ndërkohë, pas vitit 2025, ulja e normave të interesit, ngadalësimi i rritjes ekonomike, por edhe presionet e larta nga tregu i punës duket se kanë sjellë një frenim të rritjes së fitimeve të investitorëve të huaj.


Në tërsi, ecuria e investimeve të huaja direkte vazhdon të jetë në rritje. Në tremujorin e parë të vitit 2026, ato arritën vlerën e 404 milionë eurove, duke shënuar një rekord të ri historik për këtë periudhë të vitit. Investimet e huaja janë rritur me 11.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.


Burimi: Monitor


Më të lexuarat